Vlonjatët kërkojnë paratë, Kryebashkiaku Leli 450 milionë lek për “llaç e tulla”

0
7120

Ditën e djeshme, banorë të Orikumit  dhe lagjes “Kushtrimi” protestuan duke hyrë në ambjentet e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Vlorës. Banorët e “Kushtrimit” kërkonin dëmshpërblimet për banesat e tyre të prekura nga ndërtimi i rrugës lidhëse të autostradës me rrugën Transballkanike. Gjithashtu, pretendojnë se prej katër muajsh Bashkia nuk po u paguante as qiratë e banesave ku ata po qëndrojnë përkohësisht. Banorët e Orikumit kërkojnë ujë dhe drita.

Por ndërkohë që 28 familjet kërkojnë të drejtën e tyre të ligjshme, Kryebashkiaku Dritan Leli, i cili nuk ishte fare në sallë, duket se ka plane të tjera për shpenzimin e parave që merr nga taksapaguesit vlonjatë.

“Vizore.al” disponon dokumentet e një tenderi të hapur nga Bashkia e Vlorës për “Ndërtimin e sallës së Këshillit Bashkiak Vlorë+sistem ngrohje” me vlerë 37.570.000 milionë lek (pa tvsh), ose thënë ndryshe 450 milionë lek të vjetra.

Në këtë mënyrë, në vend që t’u përgjigjet familjeve vlonjate, që kërkojnë të drejtën e tyre të ligjshme për marrjen e parave për banesat e tyre të prishura, ose minimumi t’u paguajë atyre qiratë sipas marrëveshjeve të lidhura, Kryebashkiaku Leli mendon më shumë për rehatinë dhe komoditetin e zyrave për këshilltarët bashkiakë.

Gjithashtu ky tender hedh hije të mëdha dyshimi në lidhje me vlerën e madhe financiare që synohet të përdoret për atë që në preventivin e punimeve  cilësohet si “RIKONCEPTIMI I SALLES SE KESHILLIT BASHKIAK”. Të njëjtin emërtim ka edhe projekti, të cilin e disponon “Vizore.al”.

Pra, në njërën anë, tenderi hapet për ndërtim të sallës së Këshillit Bashkiak dhe sistem ngrohje, ndërkohë që projekti është thjesht “rikonceptim”.

Bashkia Vlorë nuk shpjegon se për çfarë arsyesh ka vendosur që të shpenzojë një shumë kaq të madhe për sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, i cili në total ka rreth 40 anëtarë.  Në tender parashikohen 57 vende duke marrë parasysh edhe ulëset e personelit ndihmës.

Kjo nuk ështe hera e parë që Kryebashkiaku Leli përfundon në qendër të vëmendjes për abuzime me tenderat dhe për shpërdorim të parave publike. Më herët ai kishte kërkuar blerjen e një makine luksoze, si edhe të një pasqyre me vlerë 2 milionë lek. /vizore.al

 

KOMENTO

Please enter your comment!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu