Një lajm i mirë mes tymit të gomave dhe shashkave të protestave

0
13

Nga Ardit Rada

Unaza e re, protestat, bojkoti i opozitës, pesimizmi dhe streset e përditshme. Të gjitha janë në “pjatën” e bukës së përditshme të shqiptarit të sotëm. Na kanë dominuar deri aty sa të mos shohim thuajse asgjë pozitive, duke u dhënë në prehërin e disfatizmit.

Ka një lajm të mirë të orëve të fundit nga Gjermania. Në mesin e një Europe me debate për populizmin në rritje, duket se ka vende që shohin përtej kufijve të tyre. Një shembull i mirë vjen nga Berlini, i cili me një fond prej 100 milionë eurosh për dy vitet e ardhshme, do t’i japë Shqipërisë një dorë të mirë për zhvillimin e disa sektorëve.

Nga projektet energjitike, tek uji, pastrimi i plazheve apo lufta kundër krimeve të rënda, janë disa nga fushat ku Banka Gjermane për Rindërtim ka vendosur të tregojë mbështetjen zyrtare.

Sigurisht që kjo bujari tregon jo vetëm mbështetjen në planin politik për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por është edhe gjest konkret financiar. Një shumë e tillë investimi u konfirmua dje edhe nga delegacioni gjerman në Tiranën e përfshirë nga debatet e ditës.

Shuma rekord që Qeveria Federale po akordon për shqiptarët, vjen në 30-vjetorin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Investimet e mëparshme madje janë të prekshme, ku 400 mijë banorë në rajonin bregdetar buzë Jonit janë përfituesit e drejtëpërdrejtë të nënstacionit elektrik të Himarës, ujësjellësit dhe shërbimeve në mjedis.

“E gjithë mbështetja gjermane kontribuon në përmirësimin e qëndrueshëm të kushteve të jetesës së njerëzve në Shqipëri, për t’u dhënë atyre një perspektivë në atdheun e tyre” – do të shprehej ambasadorja Susanne Schütz disa javë më parë duke e lënë surprizë shifrën e fondit.

Sot padyshim, gjermanët kërkojnë që përmes këtij investimi ta bëjnë Shqipërinë pak më të gatshme për integrimin në familjen europiane. Kjo vëmendje e shtuar e shtetit lider të BE-së është de facto një apel i drejtpërdrejtë për ta gjithë shkallët e pushtetit, përfshirë edhe median dhe në përgjithësi shoqërinë shqiptare. Sepse pikërisht lajmet e mira është vështirë t’i shohim apo të na ngjizin në këtë shoqëri që fatkeqësisht ka varësi ndaj politikës e titujve të mëdhenj që rëndom sjellin kobe dhe gjëma.

Me këtë mbështetje të fuqishme financiare, Gjermania na cilëson edhe një herë si ‘spirancë stabiliteti në rajon’ dhe si një partner të rëndësishëm në këtë pjesë të botës. Duhet të dimë ta lexojmë si duhet këtë gjest, por edhe të jemi pak më shumë mirënjohës ndaj miqve që duan të na shohin me mirë.

KOMENTO

Please enter your comment!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu