Kriptovalutat po shkojnë drejt kapitullimit

0
74

Kolapsi i vitit 2018 për kriptovalutat po i drejtohet javës më të keqe deri më tani. Bitcoin ra drejt 4,000 dollarëve dhe të gjithë monedhat alternative ndoqën tendencën.

Indeksi i Bloomberg që mat vlerën në treg të kriptovalutave, ka treguar rënie me 23% nga data 16 Nëntor, që është rënia më e madhe javore që kur monedhat arritën majën në fillim të Janarit.

Pas një rritjeje madhështore vitin e kaluar, që tejkaloi flluskat më të famshme në histori, kriptovalutat janë tkurrur me thuajse 700 miliardë dollarë dhe nuk po ndalojnë.

Shumë prej shqetësimeve që nxitën kolapsin e vitit 2018, përfshirë rritjen e mbikëqyrjes rregullatore, përplasjes brenda komunitetit dhe kaosit në kursin e këmbimit, janë përshpejtuar këtë javë.

Sipas analistëve, ka ende shumë njerëz të përfshirë në këtë lojë dhe nëse vlera e Bitcoin shkon drejt 3,000 dollarëve,  njerëzit do të arratisen nën panik. Valuta më popullore u tkurr me 7.6% ditën e Premte.

Monedhat rivale, Ether, Ripple dhe Litecoin, ranë të treja me të paktën 5%. Vlera në treg e të gjithë kriptovalutave, matur nga CoinMarketCap, u tkurr në 138 miliardë dollarë, nga 835 miliardë dollarë që ishte kulmi i muajit Janar.

Ndër viktimat e etheve të kriptovalutave janë; investitorët individual që u “turrën” për të blerë monedha kur çmimet arritën majën dhe kompanitë si Nvidia, që furnizojnë ekosistemin e kriptovalutave.

Nvidia, që prodhon karta grafike për kompjutera, humbi thuajse gjysmën e vlerës që prej Tetorit, ndërkohë që kërkesa për këto ra ndjeshëm.

Ndikimi ekonomik i kolapsit të kriptovalutave ka qenë i limituar deri më tani, pjesërisht për shkak se bankat gjigante dhe fondet e investimeve nuk janë ekspozuar shumë ndaj tyre.

KOMENTO

Please enter your comment!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu