Gatime ndryshe nga fëmijët me aftësi ndryshe te “Rapsodia”

0
362

Fëmijët me aftësi ndryshe të qendrës “Trëndafilat” në Lezhë kanë realizuar gatime shumë të veçanta, të asistuar nga shefi i mirënjohur i kuzhinës, Alfred Marku dhe nxënësit e shkollës profesionale të Lezhës. Përgjatë gjithë vitit dhe jo vetëm me rastin e festave, Chef Fredi organizon në restorantin e tij “Rapsodia” në Shëngjin aktivitete të ndryshme sociale.

Qëllimi i tyre përveç shpërndarjes së traditës dhe lidhjeve me vendin e kulturën, është edhe kënaqësia e jashtëzakonshme që përjetojnë kryesisht fëmijët me aftësi ndryshe, apo ata të shtresave në nevojë duke u përfshirë vetë në procesin e gatimit.

Pjata ndryshe nga fëmijët me aftësi ndryshe, në një nga restorantet më të njohur të kuzhinës kreative në Shqipëri. Fëmijët u bënë pjesë e kuzhinës nga realizimi i brumit, dekorimi i ushqimeve dhe deri tek pjekja e tyre. Chef Alfred Marku thotë se është bukur kur i sheh këto fytyra fëmijësh të lumtur, duke gatuar, për të ky është një emocion i madh.

“Më vjen jashtëzakonisht shumë mirë dhe ndihem i mbushur shpirtërisht kur shikoj angazhimin e këtyre fëmijëve, mënyrën sesi ata përfshihen, por edhe gëzojnë teksa gatuajmë diçka të gjithë së bashku,” thotë Chef Fredi.

Prej 12 vitesh tashmë ai drejton “Rapsodinë”, duke e kthyer në një pikëtakim të rëndësishëm jo vetëm në sezonin veror, kur janë të shumtë pushuesit që i drejtohen plazhit të Shëngjinit, por edhe tani në dimër, kur klientët e tij marrin enkas rrugën për të drekuar apo darkuar te “Rapsodia”.

Ajo që e bën edhe më të veçantë Fredin,përveç kreativitetit të tij që nuk shteron asnjëherë në “shpikjen” e shijeve tëreja në gatime, është aspekti njerëzor dhe durimi i tij për të bashkëpunuar endihmuar gjithmonë të rinjtë, fëmijët, njerëzit në nevojë. Kjo e bën “Rapsodinë”në çdo ditë të vitit një vatër të ngrohtë familjare, por edhe sociale. /vizore.al    

KOMENTO

Please enter your comment!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu