Ekskluzive/ Xhelal Mziu, tender 57 milionë lekë për një fuoristradë

1
10297

Ndërkohë që qytetarët e Kamzës shtyjnë ditët me vështirësi mes skamjes dhe pamundësisë për të blerë ushqime, madje edhe të kërcënuar përditë me jetën e tyre, siç ndodhi mbrëmë me vrasjen e një kryefamiljari me katër fëmijë në një tentativë grabitjeje, Kryetari i Bashkisë mendon për gjëra të tjera.

Xhelal Mziu, i cili që prej vitit 2006 deklaron të njëjtën makinë personale në deklaratën e pasurisë pranë ILDKPKi, një Benz të vlerësuar nga ai vetë për 500.000 lekë, ka vendosur të blejë një makinë të re, por sigurisht jo duke shpenzuar paratë e tij, por ato të qytetarëve të Kamzës.

“Vizore.al” disponon dokumentet e tenderit të hapur për blerjen e një mjeti, tip Fuoristradë, me vlerë 4.750.000 (pa tvsh), ose thënë ndryshe 57 milionë lekë të vjetra (me tvsh).

Në vend që të investohet për përmirësimin e infrastrukturës, për ndriçimin e rrugëve, për ristruktimin e kopshteve e çerdheve, duket se Z. Mziu ka plane të tjera me buxhetin e Bashkisë së Kamzës.

Nga raportimi i policisë për ngjarjen e mbrëmshme, ku mbeti i vrarë një kryefamiljar në rrugën “OSBE”, konstatohet se grabitësit janë larguar prej aty të ndihmuar nga errësira dhe mungesa e ndriçimit. Por në vend që të investojë për ndriçimin e këtyre rrugëve, për rritjen e sigurisë dhe mirëqënies së qytetarëve të Kamzës, Z. Mziu vendos të blejë një makinë për veten e tij.

Jo vetëm kaq, por ai e kërkon mjetin prodhim të vitit 2018, me benzinë dhe me kamio automatike. Gjithashtu ai duhet të jetë i pajisur me sedilje lëkure, xhamat t’i ketë me nuancë të errët dhe mbi të gjitha të ketë ekstra “paketën duhanpirës”.

Tenderi do të qëndrojë i hapur deri në datën 4 maj, por në një vlerësim të kërkesave për mjetin, kuptohet qartë se edhe ofertuesit do të jenë shumë të kufizuar, për të mos thënë që fituesi mund të jetë paracaktuar.

Nuk është hera e parë që Bashkia e Kamzës përfundon në qendër të vëmendjes për abuzime me tenderat. Këtë herë kemi të bëjmë me shpërdorim të parave publike që mund të ishin investuar për të mirat publike të qytetarëve. /vizore.al

1 Koment

KOMENTO

Please enter your comment!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu