Botohet albumi i ri “Berati një qytet i përjetshëm” me autor Ndriçim Kullën

0
348

Bukuria e Beratit, e këtij diamanti turistik shqiptar, buzë lumit Osum, tashmë gjendet Brenda albumit “Berati një qytet i përjetshëm” me autor Ndriçim Kullën. Libri sapo ka dalë nga shtypi nga shtëpia Botuese “Plejad”.

Autori i librit pohon se nevoja e botimit të këtij albumi lindi në kuadrin e promovimit të vlerave kulturore dhe turistike. Albumi i botuar me kontributin e Bashkisë Berat, nëpërmjet pamjeve origjinale prezanton historinë e rrallë të qytetit mijëvjeçar, të bukurisë arkitekturore të ndërtimeve të tij, të artit dhe qytetërimit që ky qytet ka dëshmuar.

Autori i albumit, Ndriçim Kulla, pohon për “Shqiptarja.com” se “Shekulli XX, si shekull i jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit, krahas shumë mrekullive të tjera që u dhuroi kombeve të gjithë botës, krijoi një fenomen të ri në jetën moderne të popujve të mbarë globit tonë, turizmin.”

Në parathënie të këtij albumi, autori shkruan mes të tjerash se “Po bëhen disa dekada që në këtë vorbull gjigante të lëvizjes pa pushim po përpiqet që të ingranohet me shpejtësi edhe industria turistike e Shqipërisë, e atdheut tonë, që natyra i ka dhënë një bukuri e hijeshi të rrallë natyrore por dhe një trashëgimi të rrallë historiko-kulturore, por që komunizmi e dënoi për të vuajtur shumë gjatë ne një mjerim ekonomik.”, Sipas Ndriçim Kullës “Publiku i huaj po joshet nga hiret e sapozbuluara të bukurisë që disa qytete të lashta të Shqipërisë kane nisur t’u sfilojnë miqve të ardhur. Mes tyre Berati është “mbreti” i kurorëzuar prej kohësh i turizmit të ri shqiptar.”

Mbi të gjitha, autori admiron bukurinë e Beratit, kur shkruan “Bukuria e Beratit, e këtij diamanti turistik shqiptar buzë lumit Osum, zë fill qysh në hapat e parë të qytetërimit shqiptar, atëherë kur orakujt e fatit e vendosën atë në një mjedis madhështor e të pasfidueshëm, atje, karshi malit të Tomorit dhe rrëzë disa kodrave të gjelbëruara dhe buzë ujërave të mbushura me shkëlqim. Si askund tjetër te ne, nuk ka një kështjellë më afër njerëzve, madje një lagje gjendet ende e trupëzuar brenda mureve të larta të saj. Por fizionominë e tij më të plotë kjo kryeqendër urbane e shqiptarëve do ta krijonte përfundimisht vetëm mbas mesit të shekullit XIX, pikërisht atëherë kur ajo do të merrte formën e hijshme origjinale që gëzon edhe sot.”

Studiuesi na lë ta përfytyrojë për një moment veten tonë në rolin e një të ardhuri, që vizitën e tij në Berat dëshiron ta startojë nga lagjja e Kalasë.

“Nëse ai do të dëshironte që natën ta kalonte në një nga hotelet e atyshme, me siguri që qysh në orët e para të mëngjesit do ndjente kënaqësinë e rrallë që dielli t’i hapte sytë me rrezatimin e tij që depërton së pari këtu. Kjo lagje, që shëmbëllen me një ballkon natyror, ka privilegjin e padiskutueshëm që në çdo stinë të jetë e para që i ekspozohet ndriçimit të agimit, të atij zgjimi të natyrës që përsëritet në 12 muajt e pandërprerë të vitit e që i bën njerëzit të rendin drejt jetës së përditshme me vrull,” tregon Kulla.

Këtij albumi nuk u mungojnë surprizat me lokalet e vjetra dhe të reja, të cilat sipas autorit Kulla të ftojnë me hare që të zhytesh në “perandorinë kulinare” të beratasve, të këtyre mjeshtërve virtuozë të gatimit të një morie gjellësh të shijshme.

Ndërsa i duket sikur shkarkon nga supet peshën e 2500 vjetëve histori, pas ka lënë Kalanë e Beratit, autori Pëllumb Kulla shkruan se: “Por kur të duket sikur po largohesh nga e kaluara e ndritur e Beratit, në fund të kësaj rruge të shfaqen menjëherë ndërtesat e Mangalemit, një tjetër parajsë arkitekturore që stolis imazhin e përkryer të këtij qyteti. Mangalemi është lagjja me arkitekturën historike më të përsosur të Beratit. Ndërtesat e tij të ngritura njëra mbi tjetrën në trajtën e brezareve kanë meritën që nxorën emërtimin e “Qytetit të një mbi një dritareve”. Kur nata bie mbi to, sytë e tu ndeshin në to me qindra dantella drite, që i japin një shndritje të veçantë këtij kompleksi të praruar godinash. Gjenia krijuese e arkitekturës këtu arrin kulmin e rafinimit profesional, duke i pozuar shikuesit një kombinim urbanistik në përmasa tronditëse, që i ka shokët të pakët në Shqipëri dhe ndoshta në krejt Ballkanin.”

Albumi të duket si një dokumentar, të cilin autori nis të na e përshkruaj “prej mureve të kështjellës 2500 vjeçare , shtëpive të moçme dhe monumenteve të vjetra sa vetë jeta të këtij qyteti simfonia e zërave melodiozë ngërthen në veshin tënd një muzikë mahnitëse me të gjitha ngjyrat e ylberit.

KOMENTO

Please enter your comment!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu