AirAlbania, më shumë se keqardhje norvegjeze

0
10407

Nga Petrit Kuçana 

Mbase norvegjezët do të përmbaheshin në përqeshjen ironike, nëse do të dëgjonin për “Lasgushin shqiptar”, (një imitim i idesë të tyre për figurat e shquara që i dritësojnë në linjën e tyre ajrore), por kurrsesi në lajmet e pafundme që po prodhon ky kopjim.

Me dhjetëra orë transmetimi të drejtpërdrejt ose jo, me dhjetëra lajme, nga ato të pikut të sabahut, nga ato më të çuditshmet dhe qindra komente nëpër media. Air Albania u bë lajm por disa gjëra spikasin më shumë dhe ka kaq shumë kundërthënie, që s’mund të gjendet një përgjigje e saktë nëse do të ketë Shqipëria linjën e vet ajrore.

Linje misterioze u cilësua, pasi duket që akoma nuk janë qartësuar shumë gjëra, por pritet që muaji i ardhshëm do të jetë pak më shumë dritësues.

Ndoshta për shumëkënd janë “funny” edhe përzgjedhja e atyre që do të provonin avionin me flamurin shqiptar, por tejet konfuze mbetet pse e gjithë kjo energji e shpenzuar, që nga kryeministri e deri tek instancat e tjera shtetërore, gjithë ato lajme qoftë copy-paste apo për një gjë kaq të natyrshme që praktikisht duhet të jetë krejt normale.

Krejt retorikë e paudhë duket edhe pyetja se a mund të ketë shqiptar, që do të nuk do “pasjen” e një linje ajrore shqiptare, si çdo vend tjetër normal.
Por gjithçka i ngjan yndyrës në kazanin e gjellës që u serviret shqiptarëve, pa guxuar të shkohet më tej, në “gjënë” thelbësisht shqetësuese, sidomos për diasporën shqiptare.

Përse Aeroporti i Rinasit vazhdon të aplikojë çmimet më të larta në rajon?

Mbetet shqetësim i gjithë-pranuar, ku më skeptikët mund të shpenzojnë pak minuta dhe të krahasojnë çmimet e biletave nga Rinasi me vendet e tjera të rajonit dhe më pas të fillojmë me lavdet e pafundme për AirAlbanian.

Çdo lloj tentative për të injektuar “dashuri” për flamurin shqiptar në avionin (apo avionët) e Turkish Airlines, marrë hua apo të blerë, (akoma nuk dihet), duket si një shtirje e padrejtë, një gjellë që së paku mërgimtarët shqiptarë kurrsesi nuk mund ta shijojnë. (sa herë i kanë fryrë kosit)
Sado i jashtëzakonshëm të duket lajmi se “avioni shqiptar” tashmë do të çajë qiejt e Evropës, skepticizmi rrëzon çdo emocion dhe gjithkush që ka shijuar çmimet e aeroporteve qoftë edhe të vendeve fqinjë mbetet shpresëhumbur, për çdo Lasgush, Migjen apo Konicë.

“A e dini se?” mund të fillonte një nga fjalitë që mban një të vërtetë të frikshme. 
Një biletë nga Londra në Mal të Zi mund të kushtojë më lirë sesa taksia nga aeroporti i Rinasit në Tiranë?
Dhe kjo do të vazhdonte me shumë e shumë tregime të tjera, që i dini më së miri emigrantët që i qasen atdheut nga Mali i Zi apo nga Maqedonia, e sidomos nga Greqia.

Kaq të shumta janë këto tregime saqë Rinasi vazhdon të mbetet mallkim për mërgimtarët shqiptarë.
Sikur të fillonte “promovimi” i avionit shqiptar nga këtu me një ose shumë “Pse” të mëdha në kurrizin e tij që gjithkush (sidomos ata që e shijuan Free) të mund të qëmtonin pak më shumë “në gjënë që s’shkon” me Rinasin.
Sikur Lasgushi të shkonte në Mal të Zi, pakkush do të merrej me emërtimet, aludimet nëse ka qenë edhe Albanian Airlines, me ngjyrat, publicitetin e pamasë dhe do të kyçej në një qasje tjetër, më praktike dhe krejtësisht normale.

Do të shpenzonte qoftë edhe pak minuta për të lundruar në internet dhe për të kuptuar së pari se nuk është aq e rëndësishme që stjuardesat janë ose jo shqiptare, nëse u folka shqip ose jo, sesa në çmimet ato të pabesueshme krahasuar qoftë edhe me vendet fqinje.
Me patjetër do të reflektonin pak më ndryshe, do të ishin më imunë në fushatën e madhe të “injektimit të dashurisë” për linjën e re dhe në “search”-et e tyre me siguri shumë prej tyre do të habiteshin kur të gjenin se bileta Londër-Podgoricë gjendet edhe me pak se £20 euro, sa kostoja e një taksie nga Rinasi në Tiranë.
A do të mund të flisnim pastaj për AirSerbia” që përlan “klientët shqiptar”?

E përsëri “Pse”-ja do të shtohej këmbëkryq, në Shqiptarinë lajme-shumë, nëse do të krahasoheshim qoftë edhe me Malin e Zi, që ka banorë pak më shumë se gjysma e Tiranës, por që ka dy aeroporte.

Dhe lajmi do të ishte tjetër, ndryshe, më i thjeshtë, larg emocioneve momentale të flamurit shqiptar në avionin e ngjyrosur. Përse në Mal të Zi po dhe në Shqipëri Jo?

Përse linjat “low cost” nuk ulen në djerrinën e Rinasit?

Çdonjërit që i ka rënë të udhëtojë me “Easyjet” i ka rënë të shikojë hartën ku është gjithandej nëpër Ballkan, por jo në Rinasin famëmadh… E “pse”-ja mbetet më kokëfortë se lajmet mallëngjyese për avionin shqiptar.

Mbase norvegjezët së paku do të kishin ndjerë keqardhje.

KOMENTO

Please enter your comment!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu